na ndiq ne

Lamborghini Huracan Sterrato: 10 cilindra për jashtë asfaltit?

06/06/2019

Industria automotive është vazhdimisht në kërkim të risive për të qenë gjithmonë aktuale madje edhe futuriste, por nganjëherë propozimet që vijnë nga prodhues të ndryshëm janë vërtet të pazakonta, për të mos thënë tjetër. 

Propozimi që na tërhoqi vëmendjen këto ditë është modeli i përgatitur nga Lamborghini për “off road” (ose jashtë asfaltit). Mund të kuptojmë një propozim si Urus (edhe pse nuk është modeli që na lumturon më shumë nga prodhuesi bolonjez) por një variant “all road” të një Lamborghini Huracan … këtë e kemi vëret të vështirë ta kuptojmë.

 

Nëse ka nga ata që nuk e kuptojnë mirë analizën tonë, le ta shpjegojmë pak më thjeshtë. Lamborghini Huracan është një model supersportiv i bazuar në një motor me 10 cilindra, 610 kuaj fuqi, me një sprint 0-100 për vetëm 3.2 sekonda dhe që tejkalon shpejtësinë 325 km/h. Cila do të jetë nevoja e kujtdo të dalë jashtë afaltit me këtë bishë? Duhet ngarkuar ndonjë arkë me domate nga arat apo ndonjë rrugë mali për të bërë hiking ditën e diel?

Këto opsione janë të pranueshme për një Audi Allroad apo për ndonjë Volvo të serisë XC, që me të drejtë ofrojnë luksin dhe hapësirën e nevojshme për një familje duke ofruar sadopak mundësi për përdorim të “zgjeruar” por flasim këtu për makina station wagon, zakonisht me motor 2.0 ose 3.0 turbo diesel.

Gjithsesi, vepra e prodhuesit italian meriton së paku vëmendje për të kuptuar se si një Lamborghini Huracan “Sterrato” mund të përballojë rrugë të paasfaltuara (e kujt ia bën zemra?)

Së pari Sterrato është 5 cm më e lartë nga toka krahasuar me Huracan normale. Ka telajo të përforcuar për të përballuar tronditjet, goma të përshtatshme për gjol dhe zhavor dhe veshje plastike të parafangove dhe veshje çeliku përpara dhe mbrapa  në zonën poshtë parakolpit, për të parë mbrojtur në rastet e ndryshme kur mund të takojë turiri ose e pasmja.

Brenda Huracan Sterrato ka një “kafaz” në tuba alumini që përforcojnë mbrojtjen në raste përmbysjeje apo edhe përplasjeje me ndonjë objekt (si në një garë rrally psh).

Kuriozitet është fakti që Lamborghini nuk e ka për herë të parë këtë ide. Në të kaluarën kemi parë prototipe si Jarama dhe Urraco që nuk kanë shkuar në fakt shumë larg, për arsye të kuptueshme besojmë …