na ndiq ne

Jaguar I-Pace

03/03/2018

Jaguar ka prezantuar pardje modelin e ri Suv I-Pace 100% elektrik. Me këtë model Jaguar vendoset në linjën e pare të evolucionit elektrik duke lënë pas shumë konkurrentë me emra të mëdhenj të botës së makinave.

Ky është një hap domethënës i markës angleze, e cila për një kohë të gjatë është identifikuar si markë klasike me rrënjë të thella në histori. Me këtë model, Jaguar tregon se tashmë është një markë orientuar nga e ardhmja duke u bërë madje pararojë e progresit teknologjik.  

I-Pace është design-uar nga zero në liri të plotë dhe duke shfrytëzuar gjithë lirinë e projektimit që teknologjia elektrike ofron (në mungesë të motorit tradicional që zë një hapësirë të madhe në pjesën e përparme të çdo makine). Kjo do të thotë që përveç një koefiçenti aerodinamik të ulët (Cx=0.29), në kabinë ofrohet hapësirë e bollshme për pasagjerët, si në makina të një rangu superior, pavarësisht përmasave të jashme, vetëm 468cm. Merita këtu është e hapit midis akseve i zgjeruar deri në 299 cm.

Shasia e I-Pace është e realizuar në alumin duke e bërë kështu më të lehtë, më solide dhe me një shpërndarje peshe të barabartë midis dy akese 50:50. Kjo falë edhe njësive motorike të shpërndara nga një për secilin aks. Vëmendja ka qenë totalisht e orientuar drejt performacës në guidë, duke ofruar jo vetëm siguri me tërheqjen integrale 4×4 por edhe 400 kuaj fuqi me moment rrotullues konstant 696 Nm. I-Pace përshpejton kështu nga 0-100km/h për vetëm 4.8 sekonda.

Inteligjenca artificiale e pranishme në këtë Jaguar ofron për herë të parë “smart settings” në gjendje të kuptojnë stilin e guidës së shoferit dhe të personalizojnë në maksimum sjelljen e makinës. Pikë në këtë drejtim shtojnë edhe amortizatorët me ajër të ndryshueshëm në varësi të shpejtësisë për të ofruar siguri dhe komoditet maksimal.

Bateritë, të gjitha të vendosura në një shtresë të hollë të integruara në shasi, kanë një kapacitet prej 90kWh dhe mund t’i garantojnë I-Pace-t një autonomi prej 480km. Kjo distancë përkthehet ndryshe të shkosh nga Tirana në Sarandë dhe të kthehesh sërish deri në Fier me një karikim të vetëm. Pavarësisht se ky cikël mund të jetë disi optimist, pasi ende teorik, pritshmëria është që së paku 400 km do të jenë të garantuara në çfarëdo kushtesh të mundshme dhe kjo distancë është më se mjaftueshme për çfarëdo udhëtimi brenda vendit.

Bateria karikohet nga 0-80% në vetëm 40minuta (në kollona karikuese me fuqi 100 Kw) dhe me një cikël të shpejtë ose karikohet për vetëm 15 minuta për 100 km autonomi. Në rastin e karikimit nga shtëpia, llogaritur në fuqinë 7 kW, I-Pace karikohet brenda natës.

Nga ana e baterive, lajm i mirë vjen edhe nga garancia ku Jaguar garanton për tetë vjet ndërsa garancia e përgjithshme është sipas formulës 3 vjet ose 100.000km.

Nga brenda Jaguar I-Pace ofron një nga fytyrat më moderne të familjes, me design të rinovuar, hapësira të bollshme dhe teknologjinë më të re. Sistemi infotainment dhe kuadri janë 100% dixhitale dhe kanë shumë ngjashmëri me sistemet e evoluara Touch Pro Duo që më parë i kemi ndeshur në modelet Land Rover (Velar). Sistemi ofron dy ekrane për infotainment dhe funksionet e tjera të makinës si ajri i kondicionuar, ngrohja e sediljeve, etj. Navigatori ofron funksione të avancuara duke orientuar edhe në variantin më të mirë të rrugës dhe pikave të karikimit nëpër të.

Oferta Hi Tech në bord është e pafundme duke përfshirë ndërlidhjen wireless në bord nëpërmjet të cilës mund të lidhemi me makinën me aplikacionin Jaguar InControl Remote dhe të kontrollojmë autonominë, kohën e karikimit, kostot e karikimit në varësi të tarifave orare si dhe përgatitjen e tempreaturës përparase të shkojmë në makinë, ndërkohë që makina është në karikim. Për çdo nevojë tjetër, në bord ofrohet edhe asistenti i virtual “Ask Alexa” 😊

Me këto të dhëna, Tesla bashkë me konkurrentë të tjerë mund të fillojnë të shqetësohen seriozisht.