na ndiq ne

Grandland X 2019

04/10/2018

 Marka gjermane Opel, prej kohësh ka vënë në jetë një strategji që duket fituese në tregun e sotëm automobilistik. Këtu përfshihen edhe përmirësimet e vazhdueshme në modelet e tyre, siç është rasti i modelit Opel Grandland X, një SUV që ka gjetur një përgjigje shumë pozitive nga tregu. Mbi 100.000 porosi deri tani konfirmojnë se receta e propozuar nga Opel është e suksesshme.
Opel Grandland X është një model që mikson më së miri një trup atletik dhe një shpirt aventure që nuk njeh limite. Ka një design të realizuar nga jashtë dhe nga brenda, ofron hapësirë të mjaftueshme në bord dhe nëse llogarisim që kjo makinë është e gjatë 4.5 metra, rezulton përveç se e rehatshme dhe ekonomike në konsum. Kjo vlen si për motorët me benzinë, ashtu edhe me naftë. Ky rezultat bazohet në motorë efiçentë edhe pse kubatura vjen duke u zvogëluar.

Duket se gjetja ka qenë përdorimi i turbos, që mundëson performanca të larta në motorë të vegjël. Shembull këtu mund të jetë p.sh. motori 1.5 me naftë, për të cilin Opel deklaron vetëm 4 litra/100km (mesatarisht), zhvillon 150 kuaj fuqi dhe respekton normativën antindotje Euro 6d-Temp (kliko këtu për artikullin e modelit Grandland X 1.5 turbodiesel).
Shpirti i aventurës konfirmohet përveç lartësisë, edhe nga hapësira e bagazhit, që mundëson 514 litra në konfigurimin minimal dhe shkon deri në 1.612 litra me sediljen e pasme të palosur.
Një tjetër motor interesant është njësia e re me benzinë 1.6 Puretech turbo, me injeksion direkt, që zhvillon 180 kuaj fuqi. Kjo njësi është e realizuar tërësisht në alumin, gjë që siguron edhe peshë të lehtë, por edhe një efiçencë të lartë në konsum dhe ndotje. Opel deklaron 5.8 litra/100km dhe ky është një rezultat i shkëlqyer për një motor benzine që zhvillon të tillë fuqi. Si në rastin e “binjakut” me naftë, normativa antindotje e respektuar këtu është Euro 6d-Temp.

Ky motor garanton një rendiment të mirë dhe një guidë të kënaqshme duke i shkelur syrin edhe të apasionuarve. Ok, nuk është një makinë garash, por duke llogaritur që 0-100 arrihet për 8 sekonda, me një konsum të denjë për një Opel Corsa, atëherë buzëqeshja është e garantuar.
Guida është e përmirësuar nga sistemi i përparuar elektronik Grip Control, i cili veçanërisht me goma dimërore të llojit M&S garanton tërheqje optimale në çdo situatë dhe terren si borë, gjol, rërë apo në sipërfaqe me lagështirë të theksuar.
Nëse i hedhim një sy teknologjisë që Opel ofron për Grandland X, do të shohim se ajo është e plotë si të ishte një model shumë më i kushtueshëm sesa është në të vërtetë.


Sistemet ADAS (Advanced Driving Assistance Systems) përfshin Adaptive Cruise Control me frenim automatik që identifikon kalimtarët, Driver Drowsiness Alert që dallon nëse shoferi është i lodhur apo i përgjumur, Advanced Park Assist, kamera 360°, etj. Celularët mund të karikohen wireless dhe fenerët janë cilësuar si ndriçimi më i mirë gjatë guidës, me sistemin e tyre Adaptive Forward Lighting që duke dalluar makinat që vijnë përpara, përshtasin rrezen e ndriçimit për të mos verbuar shoferin përballë. Pajisje të tjera garantojnë komoditet dhe kushte të mira në bord.

Kujtojmë këtu që si në çdo model tjetër Opel, sediljet janë të çertifikuara AGR (Fushata gjermane për një shpinë të shëndetshme), timoni dhe sediljet përpara dhe mbrapa me ngrohje, dera e bagazhit që hapet me lëvizje të këmbës poshtë parakolpit, e shumë pajisje të tjera.

Opel Grandland X kushton 22.500 euro në versionin 1.6 Turbodiesel me kambio manuale dhe me disa pajisje të përfshira në këtë çmim. Ky nuk është çmimi fillestar, sepse si do të ishte mjaft më i ulët, por ne preferuam të përmendim këtu një version që mund të jetë real, kështu siç është, ose me pak shtesa (sipas qejfit) duke qenë se Grandland X është një makinë që meriton edhe më shumë.