na ndiq ne

Bugatti Divo

31/08/2018

Bugatti, prodhuesi francez i makinave ekstreme, nga performanca por edhe nga çmimi, më në fund ka lançuar modelin e fundit, të quajtur Divo. Emri vjen në nder të pilotit francez Albert Eugène Divo, i cili arriti shumë fitore në vitet ’20 në timonin e një Bugatti Type 35B.

Divo vjen pas modelit Chiron, një supermakinë, gjë kjo që ia vështirëson punën në të gjitha drejtimet. Pavarësisht kësaj,  sipas prodhuesit francez, Divo ka në perfomacën ekstreme pikën e saj të fortë, edhe pse fuqia mbetet një ulërimë e rrallë. Tani, fakti është që pasi prodhon një makinë me 1.500 kuaj fuqi si Chiron, të shkosh përtej do të ishte thjesht një numër në dokumenta, jo një perceptim real i asaj që makina mund të ofrojë. Atëherë për ta kuptuar pak më mirë se çfarë ka sjellë Bugatti me Divo-n, le të shohim në detaje çfarë është në gjendje bisha e re.

“Zemra” e Divo-s është një njësi motorike 8.000 kubikë me katër turbo dhe 16 cilindra të vendosur në formë W. Kjo njësi zhvillon 1.500 kuaj fuqi dhe e çon Divon shumë përtej shpejtësisë 380km/h, sikur të mos kishte kufizues elektronik shpejtësie. Përveç fuqisë së barabartë me Chiron, edhe sprinti 0-100 është i njëjtë, 2.4 sekonda, por në Bugatti premtojnë se kjo makinë ka një karakter krejt tjetër, duke ofruar shumë më shumë në të gjitha përdorimet, përfshirë pistën. 

Edhe pse mbështetet në të njëjtën shasi, dinamika e Divo-s është e rinovuar tërësisht, falë përmirësimeve aerodinamike që krijojnë një ngjeshje deri në 456 kg, duke rritur qëndrueshmërinë në shpejtësi të mëdha. Dëshmi e kësaj është edhe përmirësimi i kohëve në pistë, ku Divo përmirësoi me 8 sekonda rekordin e Chiron-it.

Nga ana e design-it Divo merr frymëzim nga e kaluara e markës franceze, duke mbetur një pararojë e teknologjisë e aerodinamikës moderne.
Fenerët e pasëm janë prodhuar nëpërmjet printimit 3D, risi absolute kjo në sektorin automobilistik. Frenat janë realizuar në qeramikë dhe karbon, teknologjia më e mirë nga rendimenti dhe rezistenca, sidomos në guidën e shpejtë në pistë.

Për të gjithë ata që u frymëzuan dhe mund të mendojnë ta blejnë, kemi lajmin e keq që 40 ekzemplarët e planifikuar për shitje janë rezervuar tashmë . Ndoshta mund të jetë një rast i mirë të mendoni si të shpenzoni ndryshe pesë milionë euro, sepse ky është çmimi.