na ndiq ne

BMW X5 e re

09/06/2018

BMW ka publikuar dje fotot e para dhe informacionet zyrtare të SUV-it më të suksesshëm bavarez: X5. Modeli i ri duket se do të hyjë në prodhim në shtator të këtij viti.

Gjenerata e katërt e BMW X5 duket së është rritur së pari nga ana e përmasave. Gjatësia rritet me katër centimetra për të arritur 492 cm ndërsa gjerësia rreth 200cm (6 më shumë se modeli paraardhës). Është rritur edhe distanca ndërmjet dy akseve ku 4 cm më shumë (298 cm total) mund të ndikojnë në hapësirën në kabinë. Notë pozitike ka edhe bagazhi i rritur në një kapacitet prej 645 litra.

X5 e re është ndërtuar mbi shasinë modulare CLAR, që mundëson përshtatjen nga modeli në model duke përfshirë këtu Serinë 5 (kliko për artikullin mbi BMW Seria 5), SUV-ët aktualë X4 (kliko për artikullin mbi BMW X4) dhe X3 (kliko për artikullin mbi BMW X3). Për herë të parë, X5 mund të porositet edhe me konfigurimin familjar XL deri në shtatë vende.

Nga ana estetike, modeli i ri duket se është në hap përpara me ndryshime të dukshme në “dopio veshkën” tipike në maskerino me forma më gjeometrike, me kënde të prera, e ngjashme me modelin X3 por dhe shumë afër modelit të ri maxi X7 (ende në fazë zhvillimi) – (kliko për artikullin mbi BMW X7). Fenerët janë më të ngushtë dhe përmbajnë elementë design-i modern me linja gjeometrike që shërbejnë si dritat e ditës. Në profil modeli mbetet pak a shumë besnik gjeneratave të mëparshme ndërkohë që janë detajet që bëjnë diferencën dhe tregojnë karakterin e ri. Nga mbrapa X5 e re humbet pak nga karakteri i modeleve të mëparshme, gati-gati ngjason pak me stilin Mercedes, por mbetet e disegn-uar me kujdes dhe në mënyrë harmonike.

Nga brenda X5 e re ndryshon edhe më shumë se modelet e mëparshme dhe duket sikur çon në një nivel tjetër atë që ka nisur me vëllain e vogël X3, duke modernizuar dhe përmirësuar ndjeshëm çdo detaj. Kuadri është tashmë tërësisht dixhital ku një monitor 12.3” vizualizon të gjitha informacionet. Kruskoti mbetet “tradicional” nga ana e ergonomisë, duke u orientuar me një kënd të lehtë drejt shoferit, por cilësia në materiale dhe detaje duket e një niveli tjetër.

Dekori me elementë miks prej druri dhe alumini tregon një punë të mirënga ana e esign-it edhe pse druri në një BMW e kemi preferuar gjithmonë pak. Gjithsesi mbetet një hap përpara drejt përmirësimit të përgjithshëm me një punë cilësore në organizim hapësire dhe pastërtie në design. Infotainment është i ndërtuar në stil “tablet” por i bashkuarme hapësirën e kuadrit nga e majta dhe përveç funksioneve me prekje disa komanda i merr edhe vetëm me gjestet e dorës nga larg.

Ekzemplari i propozuar nga BMW në lançim natyrisht është versioni Top me sedilje lëkure, head-up display, drita ambjenti brenda, fenerët Led që ndriçojnë deri në 500 metra përpara, amortizatorët me ajër, sediljet me masazh, e shumë opsione të tjera.

Nga ana e motorizimit X5 e re do të dalë në treg fillimisht me motorin 3.0 benzinë në linjë, sipas traditës BMW, me fuqi 340 kuaj në versionin X5 40i. Me naftë, ende preferenca kryesore për klientelën shqiptare, do të lançohen dy versione të bazuara në motorin 3.000kubikë:  X5 xDrive30d me 265 kuaj fuqi dhe X5 M50d me 400 kuaj fuqi. Megjithëse BMW ka ditur të bëjë gjithmonë mtorë të fuqishëm dhe që harxhojnë pak, duhet ta provojmë për ta besuar që versioni 3.000 kubikë harxhon vetëm 6.5 litra/100km, sipas njoftimit zyrtar.

Tërheqja integrale 4×4 dhe kambio automatike me tetë marsha do të jetë e përfshirë në të gjitha modelet. Tërheqja do të jetë e përqendruar në rrotat e pasme, për të ofruar kënaqësi në guidë, por jashtë asfaltit, elektronika hyn në punë menjëherë për të çuar fuqinë në të gjitha rrotat.

BMW nuk publikuar ende listën e detajuar të çmimeve për çdo version, por duket se çmimi bazë do të fillojë nga 70.000 euro. Nuk janë pak, pavarësisht se versioni bazë, premtohet të jetë i mirëpajisur me të gjitha opsionet e nevojshme.