na ndiq ne

BMW Seria 8 e re

18/06/2018

Ishte viti 1998 kur BMW krijoi një nga modelet e saj më unike. Ende e freskët në mendjen e të gjithë të apasionuarve, edhe pse ky model ka dalë nga qarkullimi në vitin 1998, pra 20 vjet më parë, seria 8 mbetej një mit që me të drejtë BMW nuk e kishte harruar. 

Viti 2018, BMW ripropozon një “Gran-Coupé” që me një pozicionim midis “në memorie të së kaluarës” dhe teknologjisë aktuale, duket se do t’i shkelë syrin James Bond-it të ardhshëm, për sa ambicioze është.

Seria 8 e re vjen me një “veshje” të ngjashme me stilin aktual të prodhuesit bavarez, por me një punë cilësore në drejtim të design-it, siç i takon një makine të këtij niveli.

Seria 8 e re do të zëvendësojë serinë 6. Për momentin është planifikuar lançimi në versionin Coupé dhe Cabrio, por BMW nuk përjashton një “gran Coupé” me katër dyer edhe për një përdorim më familjar. Shasia e përdorur për ndërtimin e kësaj makine është platforma modulare CLAR, e përdorur edhe në modele të tjera BMW. Nën rroba zë vend një version i përshtatur i motorit V8 me vëllim 4.400 kubikë i cili zhvillon 530 kuaj fuqi dhe është në gjendje ta shtyjë Serinë 8 nga 0-100 për 3.7 sekonda.

Përveç modelit 850i, në lançim do të jetë e mundur të përzgjidhet edhe versioni 840D, i cili do të jetë i pajisur me motorin me gjashtë cilindra në linjë me naftë. Në këtë version, Seria 8  do të ketë 320 kuaj fuqi, të mjaftueshëm për ta çuar nga 0-100km/h për 4.9 sekonda. Nëse edhe konsumi i deklaruar do të ishte 6 litra/100km siç deklaron BMW, atëherë kjo makinë mbetet edhe një variant i mirë për këdo që ka merak edhe portofolin.
Shpejtësia në të dy rastet është e kufizuar elektronikisht në 250km/h sipas traditës gjermane.

Të rejat dhe detajet teknologjike janë të shumta për këtë BMW Seria 8 dhe përfshijnë timonin aktiv edhe në aksin e pasëm, tërheqje integrale me gradim fillestar mbrapa dhe më tej në çdo rast që makina ka vështirësi, hyn në punë edhe tërheqja e aksit të parë.

Për këdo që mendon që 3.7 sekonda nuk janë ndonjë kohë e veçantë, për të ndenjur në temë të 007, kujtojmë se kjo kohë e bën BMW 850i më të shpejtë se Aston Martin DB11 (për vetëm 0.2 sekonda).

A do të mjaftojë ky fakt për të bindur klientelën e Aston Martin të ndryshojë mendim, kjo është tjetër çështje.

Makinat e njëfarë niveli, edhe pse shpesh nga ana racionale kanë numra të ngjashëm me markat dhe modelet më ekskluzive, nuk shkëlqejnë për nga suksesi. Kjo ndodh sepse çdo klient që shpenzon një shumë të madhe parash, nuk kërkon një makinë të mirë apo të shpejtë, por një model ekskluziv, që ta dallojë nga pjesa tjetër e makinave në rrugë.

Në rastin konkret, BMW seria 8 vjen në treg me çmimin 85.000eur për modelin 840D. Kësaj shume duhet t’i shtojmë  30.000euro nëse vendosim për versionin 850i. Nuk janë pak, natyrisht, por numri “8” i kësaj makine, si në rastin e BMW Z8, ka për qëllim t’i shtojë gjithë nurin dhe prestigjin që i nevojitet për t’u ngjitur në nivelet e markave të “Olimpit” ku nuk kanë rëndësi vetëm numrat, por edhe historia dhe AND e një modeli apo marke.