na ndiq ne

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

BMW Seria 2 Active Tourer ose “familjare”

22/05/2018

BMW Seria 2 ishte një risi për prodhuesin bavarez i cili vendosi të hedhë në treg për të parën herë një model të kategorisë MPV (Multi Purpose Vehicle) ose Van ose Monovolume sipas terminologjive të ndryshme. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për një model dedikuar klientelës familjare që ndoshta mund të preferojë një makinë me ADN sportive.

Në fakt, nga AND tipike BMW ky model ka vërtet pak, në dukje të paktën, pasi është i pari dhe i vetmi model me tërheqje përpara dhe motor të vendosur paralel me akset e makinës

Pas katër vitesh në treg, ishte momenti më i përshtatshëm për një rinovim, ose “facelift”.

BMW Seria 2 prodhohet sërish në dy versione kabine: Active Tourer ofron pesë vende dhe Gran Tourer ofron shtatë vende. Gjatë katër viteve të para ky model ka koleksionuar rreth 400.000 njësi të shitura, një rezultat jo i keq për një model të ri dhe atipik për klientelën BMW.

Rinovimi nga ana estetike është shumë i lehtë dhe prek disa detaje si maskerina, që bëhet më e gjerë, në linjë me modelet e reja X2, X3, Seria 5, etj. fenerët e mjegullës, diset, parakolpi, etj.

Brenda ndryshimet janë gjithashtu të lehta dhe prekin veshjen e sediljeve, me forma të rinovuara, kuadrin qendror, tashmë dixhital në disa funksione, por ruan “akrepat” tradizionale dhe një sistem i ri infotainment i komanduar nga një ekran me prekje, me mundësi ndërlidhjeje nëpërmjet platformës Apple CarPlay.

Një tjetër risi për një BMW është që ky model shtyhet edhe nga disa motorë me tre cilindra, jo fort i zakontë për një markën bavareze.

BMW premton se modeli i ri është përmirësuar krahasuar me modelin e vjetër dhe se kënaqësia e guidës, sipas sloganit të vjetër të BMW-së, është rritur.

Versioni 220d, i bazuar në motorin 2.000 kubikë turbodiesel zhvillon 190 kuaj fuqi dhe premton të garantojë sprintin që pritet të ketë një BMW. Ky motor duhet të jetë edhe motori kryesor i klientelës shqiptare, pavarësisht se tek ne, versioni i vjetër edhe pse katër vjet në treg, thuajse nuk është parë ende.

Kambio është automatike me tetë marsha përshtatet mirë me motorin dhe i mundëson Active Tourer-it të arrijë nga 0-100 për 8.2 sekonda. BMW premton një konsum që duhet ta provojmë për ta besuar: 4.5 litra/100km janë vërtet pak për një makinë që peshon 1.550 kg pa pasagjerë.

Nga ana e hapësirës duket se Active Tourer ofron atë që nevojitet për shoferin dhe pasagjerët. Bagazhi ka një kapacitet prej 468 litra dhe divani i pasagjerëve mund të lëvizë para mbrapa deri në 13 cm.