na ndiq ne

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

BMW 530 Touring 2017

17/12/2017

Në segmentin E (ose Executive), i cili nga vetë emri karakterizohet për një cilësi superiore, duke se BMW forcon ritmin me modelin e ri të serisë 5 e cila vjen kështu në gjeneratën e shtatë. Në Europë varianti “touring” (station wagon) mbetet mjaft i preferuar për arsye të hapësirës së madhe që ofron dhe në rastin e BMW-së, edhe një design që nuk i ka zili asgjë motrës sedan. BMW 530D Touring propozohet pra si një makinë me hapësirë, e rehatshme dhe me një guidë të “gjallë”, siç i ka hije prodhuesit bavarez.

 

Njësoj si në gjeneratën paraardhëse, shasia dhe pjesët mekanike kanë shumë të përbashkëta me Serinë 7, gjë që e bën serinë 530 një makinë shumë cilësore dhe me përmirësime edhe në teknologji dhe siguri.

Për sa i përket realizimit të brendshëm, BMW shquhet në këtë segment për një stil të pastër dhe elegant. Monitori i madh 10.25” në qendër të kruskotit i jep një look kontemporan. Kjo është qendra infotainment e makinës dhe komandohet me një rrotullame me prekje. Opsion extra me pagesë mund të jetë komandimi edhe me “gjeste”. Një kamera e vendosur në pasqyrën e brendshme lexon veprimet e dorës dhe komandon impiantin hi-fi. Dritat e ambjentit gradohen në ngjyrë dhe intensitet dhe e njëjta gjë vlen edhe për parfumin e ambjentit.

Hapësira në bord është më se optimale për katër pasagjerë, ndërsa i pesti në mes të divanit të pasëm vuan pak në zonën e këmbëve nga tuneli në mes të makinës i cili integron edhe klimatizatorin. Sediljet e para si edhe në modelin paraardhës gradohen në mënyrë elektrike.

Bagazhi, siç mund të imagjinohet në një makinë të tillë është gjithashtu i bollshëm dhe modular me sediljen e pasme që ofron tre kombinime palosjeje, për të gjitha nevojat. Dera e bagazhit është elektrike dhe për bagazhe të vogla mund të hapet edhe vetëm xhami i pasëm, zgjidhje kjo praktike dhe komode.

Në bagazh mungon priza 12V, e cila mund të porositet me pagesë ekstra, por këtë detaj klientela kërkuese e serisë 5 nuk do ta presë shumë mirë.

Nga ana konstruktive gjejmë disa risi që i rrisin cilësitë dinamike, siç janë rrotat e pasme të kthyeshme nga timoni (Integral active steering). Kjo gjë nuk është e përfshirë në çmimin bazë natyrisht, është një opsion ekstra, por duket se i shton goxha dinamizëm guidës dhe anës praktike. Në shpejtësi të vogla dhe në manovra parkimi, rrotat e pasme kthehen në krah të kundërt me ato të parat duke thjeshtuar kështu manovrat, ndërsa në shpejtësi të mëdha lëvizin në të njëjtin drejtim me rrotat e para, duke i dhënë kështu një qëndrueshmëri më të lartë makinës.

Edhe amortizatorët janë të komanduar nga një çentralinë elektronike duke ofruar komoditet dhe sportivitet në çdo situatë.

Vijmë kështu tek motori, i bazuar në njësinë me 6 cilindra në linjë i cili kombinohet me kambion automatike me 8 marsha. Fuqia arrin në 265 kuaj në 4.000 xhiro/min dhe momenti rrotullues është 620 Nm duke filluar nga 2.000 xhiro/min.

Ky motor e shtyn serinë 5 nga 0 – 100km/h për 5.7 sekonda dhe konsumi i deklaruar nga BMW është 4.7litra/100km. Na duket pak si shumë optimiste si shifër, por kjo mbetet për t’u provuar.

Programi Eco Pro favorizon një guidë fluide dhe me konsum të ulët duke ruajtur edhe ambjentin. Programet Comfort dhe Sport, siç mund të kuptohet edhe nga emri plotësojnë mundësitë e zgjedhjes për një guidë ideale në të gjitha kushtet.

Nga ana e sigurisë, së pari gjejmë paketën Driving Assistant Plus, që përfshin guidën gjysëm-autonome nëse bllokoheni në karvan në autostradë apo rrugë interurbane.

Remote Parking është sistemi që të lejon të telekomandosh makinën nga jashtë për ta arkuar në hapësira të ngushta, por me kusht që të jeni jo më shumë se 1 metër nga makina.