na ndiq ne

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Bentley Continental GT

09/05/2018

Prodhuesi anglez prezanton modelin e fundit sportiv superluksoz Bentley Continental GT. Pa asnjë modesti dhe me një vetëbesim të pafundëm, Coupé-ja e fundit angleze nuk do t’ia dijë për downsizing apo për trende të tjera të kohës sonë.

Siç e dimë, downsizing ka të bëjë me zvogëlimin e vëllimit të motorëve të makinave. Evolucioni teknologjik i mundëson edhe një motori të vogël të arrijë fuqi të konsiderueshme. Në të njëjtën kohë nevoja për të ulur kostot e prodhimit është gjithmonë e më e rëndësishme kundrejt një konkurrence tashmë agresive. Nuk është ky rasti i Bentley-t e aq më pak me këtë model. Meqënëse e filluam nga motori, le të hyjmë në temë: ai është një tashmë një specie në zhdukje, 12 cilindra në formë W, 6.000kubikë biturbo, që zhvillon 635 kuaj fuqi dhe një vlerë mbresëlënë 900Nm si moment rrotullues. Kjo do të thotë që sapo të prekësh pedalin e gazit, motori është menjëherë i gatshëm 100%. Imagjinoni çfarë ndodh në regjime 6.000 apo 7.000 xhiro apo edhe më lart kujt ia mban!


Në fakt, nga 0-100 arrihen për vetëm 3.7 sekonda dhe shpejtësia maksimale është 333 km/h.
Kambio automatike me tetë marsha garanton përgjigjen ideale për guidën sportive por edhe ndërrime marshi të ëmbla e të pandjeshme në guidën e relaksuar. Deri këtu jemi ok me objektivin që Bentley ka patur gjithmonë për këtë model: të propozojë makinën sportive më luksoze dhe të rehatshme për çdo përdorim të mundshëm.


Kontributi këtu vjen edhe nga shasia e Bentley-t të ri Continental, më e ngurtë por edhe 80 kg më e lehtë. Baza e platformës së re është e prodhuar nga Porsche dhe e përdorur për modelin luksoz Panamera, por ky është procesi i vetëm industrial i kësaj makine. Çdo gjë tjetër montohet me dorë në impiantin historik në Crewe, Angli.

Bentley Continental GT duket se ka edhe një izolim akustik perfekt, as sa (siç premtojnë në Bentley) nën shpejtësinë 200km/h zhurma nga aerodinamika është 0. Mbi këtë shpejtësi në Shqipëri do të ishim duke fluturuar matanë ndonjë mullari, kështu që le të mos mendojmë çfarë ndodh më tej 😊


Amortizatorët me ajër premtojnë komoditet të padiskutueshëm për të përballuar mirë çdo të papritur të asfaltit por edhe stabilitet të lartë në kthesa dhe trajektore të vështira. Kjo është meritë edhe e stabilizatorëve të akseve që janë aktivë dhe mund të ngurtësohen sipas programit të përzgjedhur. Në gradimin Sport, natyrisht makina ngurtësohet për një përgjigje maksimale në performancat ekstreme.
Gjithë kjo teknologji dhe ky kujdes në detajet dhe materialet e përzgjedhura përkthehet në mbi dy tonë peshë totale. Pavarësisht se motori bën mirë punën e tij, kemi frikë se pak inerci në kthesa edhe mund të ndihet.


Pesha ka ndikim e saj edhe në konsum natyrisht, por kjo pritej. Dihet që një motor me 12 cilindra nuk është projektuar për të dalë kampion konsumi të ulët. Por teknikët e Bentley-t kanë menduar mirë për të gjitha situatat dhe nëse nuk është patjetër e nevojshme, gjysma e cilindrave, në përdorim qyteti, edhe për të ndotur më pak, mund të çaktivizohet.
Nga ana tjetër, me siguri konsumi i karburantit nuk është shqetësimi kryesor i kujt është gati të shpenzojë mbi 220.000 euro për një makinë. Faqja e zezë për atë që po mendon ta konvertojë në gaz këtë makinë. Nëse nuk ke me çfarë ta ushqesh, mund të marrësh një makinë me shumë më pak cilindra, por nëse merr një Bentley, sillu si “gentleman”!