na ndiq ne

Audi prezanton Q8

25/06/2018

Megjithëse concepti i një makine SUV dhe coupé në fillim ndeshi në jo pak kundërshtarë (përfshirë edhe të nënshkruarin) kjo nuk e pengoi këtë koncept të ri makine të shënonte rrugën e suksesit në treg.

 

Nën linjën e modeleve si BMW X6, ndoshta i pari në këtë lloj, e më tej i ndjekur nga Mercedes GLE Coupé por edhe Range Rover Velar, e të tjerë, dukej se Audi mungonte në këtë segment dhe prodhuesi nga Ingolstad nuk mund të mos vendoste praninë e tij aty ku vetëm më të mirët guxojnë.

Sigla e makinave të larta nga toka, në Audi marrin siglën Q të shoqëruar më tej nga numri që tregon edhe segmentin të cilit i përkasin. Q8 pra tregon që në emër ambiciet e mëdha. Audi do të ofrojë këtu luksin dhe komoditetin e A8 të ngritur në nivelin 4×4. Format e Q8 nga jashtë janë ato të një makine agresive, me linja Coupé-je edhe pse kjo gjë nuk është aq e thjeshtë kur përmasat janë thuajse 5 metra. Më saktësisht Q8 është 499 cm e gjatë, 200cm e gjerë dhe 171 e lartë. Distanca ndërmjet akseve, 300 cm, flet për një hapësirë të bollshme në bord.

Por nëse përmasat nuk thonë shumë, linjat bëjnë të kundërtën: maskerino agresive me borde të kromuar dhe masivë që rikonfirmon edhe një herë stilin Audi. Fenerët e ngushtë e mprehin më shumë pamjen e përparme prej felini. Në profil dallohet “brezi i lartë”, siluetë prej Coupé-je me dy parafangot e theksuara që mbulojnë rrota me përmasa deri në 22”. Në pjesën e pasme Q8 ka forma të ngjashme me Coupé-në A7, ku kryesori është spoileri, më i dukshëm në rastin e A7 dhe disi i minimizuar në rastin e Q8.

SUV/i i ri Q8 ngrihet platformën e kolauduar MLB Evo, e përdorur më parë në modelet e tjera të familjes Audi Q7, Bentley Bentayga, Lamborghini Urus, Porsche Cayenne e Volkswagen Touareg. Shasia është e përbërë nga 14.5% nga çelik rezistent ndërsa pjesa tjetër është e realizuar në alumin, për të përmbajtur peshën. Edhe pse Q8 nuk është një pupël (në versionin 3.0 TDI peshon pak më shumë se 2.100kg) duhet thënë se kjo peshë është pak a shumë në linjë me konkurrencën.

Teknologjia e Q8 tashmë nuk është e re, por e rëndësishme të themi se ajo ka të gjitha teknologjitë më të mira të familjes Audi. Fenerët LED janë në gjendje të ulin dritat e gjata në mënyrë automatike për të mos verbuar makinat që vijnë përballë. Amortizatorët me ajër janë të gradueshëm në bazë të terrenit. Në gradimin Dynamic makina ulet 5 cm për të garantuar një bariqendër më të ulët dhe një sjellje dinamike në rrugë ndërsa në “off road” makina ngrihet në nivelin normal për të patur mundësi të përballojë më mirë terrenet e vështira. Kruskoti është i realizuar në mënyrën më besnike të mundshme me Audin A8, jo vetëm si  cilësi materialesh por edhe si design. Edhe këtu gjejmë tre ekranë dixhitalë që mbulojnë çdo nevojë komunikimi apo informacioni.

Në vend të kuadrit gjejmë një monitor 12.3” me Audi Cockpit me të gjitha informacionet e mundshme, përfshirë edhe udhëzimet e navigatorit. Sistemi multimedial, ose infotainment komandohet nga monitori 10.1” ndërsa menjëherë më poshtë gjejmë një ekran 8.6” i cili mundëson komandat e klimatizatorit, gradimin e guidës dhe çdo opsion tjetër të makinës. Lidhja me internetin nëpërmjet teknologjisë 4G është e plotë dhe ndërlidhja me celuarin mundësohet nëpërmjet Bluetooth, Apple Car play dhe Android Auto. Lajme të mira vijnë edhe nga teknologjia në dobi të sigurisë. Sistemi Nightvision mundëson një pamje të plotë edhe në kushte errësire. Frenimi i emergjencës identifikon kalimtarët, çiklistët dhe kafshët. Cruise control është aktiv dhe dallon kufirin e shpejtësisë në tabelat rrugore.

Në momentin e lançimit Audi Q8 do të jetë e pajisur me njësinë motorike tashmë të mirënjohur 3.0 V6 TDIme fuqi 286 kuaj, Ky motor garanton një sprint 0-100km/h për vetëm 6.3 sekonda dhe një shpejtësi maksimale 232 km/h. Të gjitha Q8 kanë të integruar sistemin “Mild hybrid” i cili nëpërmjet baterisë 48 volt dhe në motori të vogël elektrik ndihmon motorin me naftë në momentet kur ky ka nevojë për fuqi. Si në modele të tjera, në shpejtësi midis 55 dhe 160 km/h makia mund të ecë me motorin e naftës të fikur e shtyrë vetëm nga motori elektrik. Teknologjia start & stop është e avancuar dhe fik motorin që në shpejtësinë 22km/h kur jemi duke frenuar, për të kursyer karburant dhe ndotje të ambjentit.

Q8 do të jetë e pajisur me kambio automatike me tetë marsha. Në 2019 priten të vijnë edhe njësitë diesel 3.0 TDI me 231 kuaj fuqi dhe benzinë 3.0 TFSI me 340 kuaj fuqi. Ne pritje të konfirmimit zyrtar nga Audi, çmimi i Audit Q8 pritet të jetë rreth 80.000euro. SUV-i i ri sportiv mund të porositet nga klientët shqiptarë duke filluar nga muaji korrik.