na ndiq ne

Audi PB 18 e-tron

02/08/2018


Këto ditë vetë Audi ka përhapur një teaser të modelit më të ri PB 18 e-tron. Ky model elektrik sportiv do të prezantohet për herë të parë në datë 23 gusht në Laguna Seca të Kalifornisë gjatë zhvillimit të eventit të përvitshëm Pebble Beach Car Week.

Të dhënat mbi modelin janë akoma të pakta dhe janë ruajtur për prezantimin që do të bëhet shpejt, por aq sa info jepen për momentin janë të rëndësishme për të krijuar përshtypjet e para.


Nga pamjet e përhapura nga Audi dallohet qartë pjesa ballore e veturës, linjat agresive të karrocerisë, turiri i ulët, parafangot e gjera dhe kabina kompakte. Dy telekamera që zëvendësojnë pasqyrat tradicionale i shtojnë edhe më shumë stil “futurist” kësaj Coupé-je sportive.
Stili i veturës, “made in Usa” është vulosur nga Malibu Design Loft me një objektiv të ri ambicioz: të shënohet drejtimi që do të marrin tashmë modelet e ardhshme sportive të prodhuesit gjerman.

Sigla e këtij prototipi nuk lë shumë vend për dyshime: PB 18 e-tron (sigla PB do të thotë Pebble Beach) të sjell menjëherë në mend modelin R18 e-tron pjesëmarrës dhe fitues në garat e gjata që sprovojnë rezistencën e modeleve pjesëmarrëse. Në këto gara, pjesë e të cilave është edhe pista legjendare LeMans, Audi është fitus serial duke zënë gjithmonë vende të rëndësishme në podium. Frymëzimi sportiv nga bota e garave ka për qëllim të theksojë ADN sportive të këtij modeli.
Ende nuk ka të dhëna të sakta përsa i përket prodhimit, pavarësisht se kjo veturë do të jetë versioni rrugor i modelit Audi e-tron Vision Gran Turismo, që shohim në foto.


Për momentin Audi mjafohet duke thënë se informacione të tilla mund të bëhen të ditura në një moment të dytë. Një model i ngjashëm mund të pozicionohet në majë të gamës e-tron që udhëhiqet nga modeli Suv i prezantuar pak më parë nga Automag (kliko këtu për artikullin) që do të jetë i gatshëm për porosi në shtator.