na ndiq ne

Audi e-tron

01/10/2018

Më në fund, pas shumë ngacmimesh, perfoljesh dhe pritjeje, prodhuesi i katër unazave fillon një erë të re në industrinë automobilistike. Audi e-tron është modeli që inauguron makinën e parë elektrike të prodhuar nga Ingolstad. 

Disa detaje të këtij modeli të shumëpritur ne i kemi përmendur më parë (kliko këtu për artikullin), ndërsa tashmë prezantimi hedh dritë në çdo detaj. Audi mendoi mirë të prezantojë modelin E-tron në San Francisco, Kaliforni, ku gjendet selia qendrore e prodhuesit amerikan Tesla. Të jetë një koinçidencë?
Audi e-tron nuk është thjesht një model elektrik i prodhuesit gjerman por një model i ri që merr më të mirën e të gjitha modeleve Audi. E-tron është fjala e fundit e guidës integrale Quattro (që në Audi daton në vitin 1980) në një hapësirë premium të asembluar me kujdes dhe njëkohësisht hi-tech.
Audi e-tron është 4.9 metra i gjatë, 1.93 metra i gjerë dhe ka një distancë 2.93m midis dy akseve. E-tron është ndërtuar mbi platformën MLB Evo, e njëjta e Audi-t Q8, Porsche Cayenne, Bentley Bentayga, etj, por në këtë rast shasia është përshtatur me bateritë dhe motorët elektrikë.

Bagazhi ka një kapacitet 600 litra ku përfshihen edhe 60 litrat e hapësirës poshtë kapakut të motorit, ku normalisht mbahet kordoni i karikimit.

Modeli i ri është prezantuar në ngjyrën Blu Antike, që shkon me teknologjinë elektrike, ndërsa pincat e frenave evidentohen nga ngjyra portokalli. Disa detaje stilistike, si psh. katër vizat në maskerino, që përsëriten tek fenerët dhe në grafikën e disqeve, “paketa” Platinium Grey apo dritat e pasme të bashkuara në një trup të vetëm, përforcojnë identitetin e E-tron.
Për herë të parë një një makinë 4×4 zhduket tuneli i transmetimit që përshkon gjithë kabinën përmes. Zona e pasagjerëve mbrapa rifiton një hapësirë të re.

Hapësira e brendshme është një ambjent i kuruar dhe i pasur në detaje, ku kryefjala janë ekranet Led. Kuadri është tashmë i mirënjohuri Virtual Cockpit full HD ndërsa nga e djathta gjejmë dy ekranet që pasqyrojnë informacionet dhe komandojnë sistemin MMI Touch (infotainment) dhe funksionet e tjera të makinës, ky i fundit me reagim aktiv ndaj prekjes, për të qenë i sigurt se komanda u përcoll. Më poshtë, në pjesën horizontale të bllokut të komandave, gjendet një mbështetëse për dorën, në të cilën gjejmë edhe komandën e marshave, thuajse e padukshme.
Audi Connect Key mundëson hapjen e makinës nga app i celularit, ku lejohen deri në katër përdorues. Profilizimi sipas përdoruesve mundëson memorizimin e preferencave të sistemeve infotainment dhe sistemeve të tjera të makinës.


Amortizatorët me ajër janë të përfshira që në modelin bazë dhe mundësojnë ndryshimin e lartësisë së makinës +/- 7.5cm.
Audi e-tron ka dy motorë elektrikë, nga një për çdo aks, të cilët gjenerojnë së bashku 408 kuaj fuqi dhe moment rrotullues 660 Nm. Fuqia maksimale është e gatshme në 0.25 sekonda, me fjalë të tjera, gjithmonë gati për të shkarkuar në asfalt gjithë energjinë e Audit e-tron. Në shpejtësi konstante, kur lëshohet pedali i gazit ose në frenim, vihet në lëvizje mekanizmi i rekuperimit të energjisë, duke rritur efiçencën dhe duke kursyer frenat. Nëpërmjet këtij sistemi, autonomia përmirësohet deri në 30%.
Motorët elektrikë shtyjnë E-tron deri në 200 km/h ndërsa nga 0-100 arrihen për 6 sekonda. Autonomia e deklaruar është 400 km me ndryshime deri në 10% në varësi të përdorimit të klimatizatorit apo funksioneve të tjera në bord.

Bateritë janë të tensionit të lartë 396 volt dhe kanë një kapacitet prej 95 kWh. Mund të karikohen në sistemet e reja ultrafast me fuqi 150kW. Interesante na u duk të përmendim këtu që rezervimi dhe pagesa e karikimit mund të kryhet nga vetë sistemi infotainment. MyAudi është aplikacioni që monitoron karikimin dhe mund të komandojë në distancë klimatizimin e makinës.

Zhduken pasqyrat për herë të parë në një makinë, për t’i lënë vendin telekamerave dhe ekraneve dixhitale nga brenda. Suporti ku vendosen kamerat nga jashtë është shumë i hollë, duke përmirësuar aerodinamikën dhe zhurmën e krijuar ndërsa pamjet nga brenda transmetohen në dy monitorë Oled me përmasa 7”. Përmirësimi aerodinamik ul koefiçentin aerodinamik Cx në 0.28. Një tjetër ndihmesë vjen këtu edhe nga gojëzat e ajrit aktive, impianti i frenimit, disqet 19” me goma 255/55 me rezistencë të ulët ndaj rrotullimit dhe pjesës së poshtme të makinës totalisht të mbyllur.


Së fundmi, ADAS (Advanced Driving Assistance Systems) si në çdo Audi të gjeneratës së fundit janë të nivelit më të lartë. Adaptive Cruise Assist menaxhon gazin, frenat dhe timonin duke ruajtur distancën e sigurisë, duke përshtatur shpejtësinë në bazë të tabelave rrugore. Një mori sensorësh dhe telekamerash me monitorim 360° mundësojnë edhe sisteme si Crossing Assist (makina që mund të presin rrugën), Rear Cross Traffic Alert (makina që presin rrugën kur jemi duke ecur mbrapsh), Lane Change Warning (sinjalizimi përpara ndryshimit të korsisë), Park Assist e shumë të tjera. Në 2019 do të jetë i gatshëm edhe Parking Pilot dhe Remote Garage Pilot që mundësojnë komandimin e makinës nëpërmjet celularit në parkim apo në hapësira të ngushta.
I vetmi çmim i deklaruar deri tani është ai për Gjermaninë, në vlerën 80.000eur. Në Shqipëri, ky çmim do të jetë më i ulët me së paku 5.000eur. Ju duken shumë? Jemi në të njëjtën linjë me Jaguar I-Pace dhe së paku 15.000eur më pak krahasur me Model X nga Tesla.

Kliko këtu për Jaguar I-Pace elektrik:

 

Kliko këtu për Mercedes EQC: