na ndiq ne

Aston Martin DB11 Volante

16/10/2017

Volante është sigla me të cilën Aston Martin emërton versionet kabrio. Në këtë rast, DB11 Volante është version që derivon nga DB11 Coupè, një makinë sportive kabrio me katër vende (më saktë dy + dy) ku dy vendet e pasme janë vetëm për raste të detyrueshme (“emergjence”) ose për fëmijë.

Pavarësisht se vjeshta nuk është stina ideale për të prezantuar një veturë me kabinë të hapur, pamjet e Aston Martin DB11 Volante të lënë pa fjalë.

Linja të gdhendura dhe fluide me parafango të theksuara duan të tregojnë se nuk mungojnë edhe muskujt, pavarësisht se syri bie tjetërkund. Një krijesë elegante dhe afashinante njëkohësisht ku finesa e linjave harmonike të profilit dhe kofanos së motorit  bashkohet me maskerinën agresive identifikuese të prodhuesit anglez. Hapjet e ajrit sipër parafangos së përparme në formë velëzash të një peshkaqeni sikur duan të tregojnë se poshtë kësaj velloje artistike fshihet një zemër sportive. Me këtë kabrio angleze mund të shëtitësh në një rrugë të panoramike, por nëse duhet, është në gjendje të djegë asfaltin me performanca prej sportiveje të vërtetë.

Motori i Volante-s është V8 me benzinë me orgjinë AMG (inaugurohet këtu bashkëpunimi me grupin Daimler) në gjendje të prodhojë 510 kuaj fuqi. Përshpejtimi nga 0 – 100 sipas prodhuesit britanik arrihet në 4.1 sekonda dhe vetura arrin shpejtësinë 300km/h.

Cilado qoftë shpejtësia me të cilën udhëtoni, jini të qetë se nga mbulesa e tavanit nuk do të keni as më të voglin shqetësim: është prodhuar me një vëmendje të veçantë ndaj izolimit akustik. Përbëhet nga tetë shtresa të ndryshme dhe garantohet për dhjetë vjet. Në fakt, kjo mbulesë është prodhuar nëpërmjet testeve fizike reale të cilat kanë kaluar nga Death Valley në SHBA (për testet në temperature të larta) në skajin Arktik (për testet në temperature të ulëta). Në të dy rastet, DB11 Volante tregoi se ofron izolim perfekt si ndaj të ngrohtit ashtu edhe ndaj të ftohtit. Mekanizmi automatik lejon të ngrini ose të ulni këtë mbulesë edhe në ecje, në shpejtësi jo më të mëdha se 50km/h.

Aston Martin DB11 Volante  është një veturë e projektuar për të qenë e përshtatshme për një përdorim të vazhdueshëm për të gjitha ditët e javës dhe kjo shpjegon praninë e disa aksesorëve si ngrohje e timonit apo kapjet Isofix në sediljet e pasme (për të lidhur sexhiolinon e bebeve).

Kjo veturë do të ofrohet me çmime që fillojnë nga 200.000 euro, dhe nëse ky çmim ju duket i lartë mendoni që ekskluziviteti i kësaj makine do t’ju bëjë të dukeni si James Bond.