na ndiq ne

Albanian Motor Company inauguron autosallonin e ri Hyundai

07/03/2020

Hyundai forcon pozitën e tij në Shqipëri

Është inauguruar ditën e enjte autosalloni i ri i Hyundai Albania nga Albanian Motor Company. Konçesionari shqiptar zotëron prej më shumë se pesëmbëdhjetë vitesh ekskluzivitetin e markës Ford.

Grupi i mirënjohur shqiptar, me një investim të rëndësishëm dhe me objektiva afatgjatë, duket se ka plotësuar kushtet që një tjetër markë lider t’i shtohet portofolit të markave që ofron për tregun shqiptar. Albanian Motor Company sjell në fakt një autosallon bashkëkohor ku publiku shqiptar do të mund të njihet me çdo model të markës koreane.


Në sallë gjendeshin personalitete të fushave të ndryshme, ku spikasnin njerëz nga fusha e biznesit, personazhe të mediave, klientë të shumtë të Albanian Motor Company, por edhe shumë posedues të markës Hyundai të cilët do të gëzojnë shërbimin profesional të servisit për mirëmbajtjen e makinave të tyre.
Rrugëtimi ynë ka nisur pesëmbëdhjetë vite më parë, me vullnet të investitorëve të familjes Dulaku. Sot mund të themi me plot gojën që Albanian Motor Company i ka bërë ballë vështirësive të tregut dhe konfirmohet sot si një brand lider në tregun automotive shqiptar” – ka thënë ndër të tjera Drejtori i Përgjithshëm i Albanian Motor Company, z. Gentian Karaj.


E gjithë mbrëmja ishte një miks i përzgjedhur elementësh ekzotikë nën tingujt e një kolone zanore të markës Hyundai, disa numra akrobacie të arritur, shoqëruar me inserte video evokative për t’i dhënë markës Hyundai një prezantim të denjë.
Menaxherja e marketingut të Albanian Motor Company, Znj. Edra Menaj tha për Automag.al se ky inaugurim është provë e arritjeve të dëshmuara në 15 vite eksperiencë. “Gjatë kësaj periudhe ne kemi patur ekskluzivitetin e markës Ford dhe numërojmë sot në treg me mijëra makina te shitura dhe klientë të shërbyer në mirëmbajtje. Tashmë sjellim në tregun shqiptar një tjetër brand të suksesshëm: Hyundai. Kjo është një sfidë e re, por Albanian Motor Company, njësoj siç ka bërë deri tani, do të dijë të shërbejë në mënyrën më të mirë jo vetëm individët por edhe bizneset, në krijimin e flotave të tyre me mjetet dhe shërbimet profesionale të kësaj marke të re në portofolin tonë” – ka përfunduar ajo.


Autosalloni i ri gjendet në adresënAutostrada Tiranë – Durrës, km 10, Kashar” dhe ju mirëpret të vizitoni nga afër gamën e plotë të Hyundai që vetëm vjet ka shitur mbi 4 milionë automjete në të gjithë botën dhe nga 1 janari do t’i shtohen edhe kuotat e shitjeve nga Albanian Motor Company.