na ndiq ne

ABT Audi E-RS6 me “turbo elektrike”

24/07/2018

Kompania ABT është një prodhues gjerman makinash për gara dhe një përpunues i modeleve të “zakonshme” pasi dalin nga fabrika. Kjo kompani ka edhe një skuadër në garat e formulës më inovatore Formula E, ose e njohur ndryshe si Formula1 elektrike.
Kryesisht kjo kompani punon mbi modelet e markës Audi dhe së fundmi edhe me modele të markës Seat dhe Skoda.
Këtë rradhë, ABT ka zgjedhur për të na habitur një model që në versionin bazë zhvillon 605 kuaj fuqi dhe është asgjë më pak sesa një Audi RS6. Në fakt një model bazë që zhvillon 605 kuaj fuqi është thuajse një paradoks ose një kundërshtim termash, por nëse mendojë që ABT këtë model e çon në 730 kuaj fuqi, atëherë gjërat sikur marrin pak më shumë kuptim. Vetëm pak ama sepse ky projekt ka edhe më shumë për të treguar.


Sekreti i përdorimit të fuqisë elektrike për të shtuar fuqinë e përgjithshme të një mjeti ka kohë që është shpikur dhe kur kjo gjë bëhet nga Formula1, do të thotë që çdo model tjetër sportiv mund ta bëjë këtë. Pavarësisht se në përgjithësi prodhuesit e ndryshëm e përdorin teknologjinë hibride në përgjithësi për të rritur efiçencën apo për të kursyer karburant, në disa raste, si psh. në rastin e ABT-së, kjo teknologji mund tëpërdoret edhe për të shtuar fuqinë makinës përtej mundësive të motorit me djegie të brendshme.


Audi RS6, në këtë rast modeli më performant, ai me 605 kuaj fuqi, bazohet në njësinë motorike V8 4.000 kubikë me dy turbo. Në rastin e ABT RS6-E fuqia rritet në 730 kuaj duke bërë ndryshime në sistemin e shkarkimit dhe në çentralinën që kontrollon motorin. Jo keq deri këtu, por siç e thamë më lart, meseleja vazhdon dhe ABT shton këtu një njësi motorike E-Power (elektrike). Kjo teknologji mundësohet falë eksperiencës në kampionatin Formula E dhe konsiston praktikisht në një mekanizëm që ka funksionin e një turboje të tretë por që e vetme ofron një fuqi prej 288 kuajsh dhe në total arrijnë të japin 1.018 kuaj fuqi. Kjo është një fuqi rekord që shoqërohet nga një tjetër element i rrallë: momenti rrotullues është 1.291 Nm kundrejt 700 Nm në momentin që makina del nga fabrika.


Me këtë nivel fuqie, Audi RS6-E ABT kap një kohë prej 3.3 sekondash për 0 – 100 km/h, (kundër 3.7 sekondash të modelit të pamodifikuar). Shpejtësia maksimale, shkon nga 250 km/h (e vetëkufizuar) në 320 km/h.
Motori elektrik furnizohet nga një bateri prej 13,6 kWh.
Ende nuk ka një çmim për këtë makinë, edhe sepse ende ABT nuk ka vendosur nëse do ta shesë këtë RS6-E speciale, por ky rast ka vlerën të tregojë që edhe për të patur makina performante, energjia elektrike mund të jetë një drejtim shumë i dobishëm.