na ndiq ne

Si të zgjedhim gomat e makinës?

30/07/2017

Gomat kanë një rëndësi parësore për makinën tonë. Rëndësia e tyre është e dyfishtë: së pari janë element themelor i drejpërdrejtë i sigurisë sonë (dhe të makinës) dhe së dyti, në varësi të përmasave dhe përshtatjes me makinën sipas nevojave tona, ato ndikojnë jo pak në sjelljen e makinës gjatë ecjes.

Më konkretisht, në lidhje me pikën e parë, nuk do ta përsërisim kurrë sa duhet se gomat janë gjysma sigurisë së makinës dhe shpesh në Shqipëri, vërtet të nënvlerësuara. Në vendin tonë ka kohë që lulëzojnë shitës të paautorizuar gomash kryesisht të përdorura. Nga një verifikim i bërë nga Automag, shumica e tyre shesin goma të konsumuara nga km e kryer ose nga koha. Konsumi nga kilometrat e kryer dallohet lehtë sepse cdo gomë ka midis kanaleve të luleve disa shenja të cilat tregojnë limitin e konsumit të lejuar të gomës. Kur lulja e gomës barazohet në nivel me këto shenja, goma e ka përfunduar ciklin. Por ky nuk është gjithmonë një element I mjaftueshëm për të vertetuar konsumin e gomës pasi ka disa lloje gomash të cilat kanë një përbërje më të fortë se disa të tjera dhe pas një ekspozimi të vazshdueshëm të kushteve atmosferike, kryesisht gjatë stinës së nxehtë, të fortësohen ose më saktë të ngurtësohen dhe të humbasin vetinë e konsumimit pikërisht sepse janë të ngurtësuara. Kështu, lulja duket e pakonsumuar por goma ka humbur vetinë që të ngjitet pas asfaltit duke e bërë makinën të paqëndrueshme në kthesa, në frenime apo në shi, pavarësisht sa sisteme teknologjike mund të ketë makina.

Në lidhje me këto dy pika, ne mund të këshillojmë që lulja është një element i verifikueshëm në sy të lirë dhe mirë është të mos presim që ajo të barazohet deri në milimetrin e fundit me shenjën treguese, ndërsa në lidhje me elementin e dytë, mund të themi që gomat nuk është mirë të jenë më të vjetra se 5-6 vjet sado e re të jetë lulja e tyre. Cikli i jetës së një gome mund të jetë edhe pak me i gjatë se kaq, por kjo vetëm nëse janë gomat tuaja, dini se si i keni përdorur dhe ku i keni ruajtur në rast jopërdorimi (psh kur përdorni dy komplete gomash, një për dimër dhe një për verë).

Viti i prodhimit të një gome është i detyrueshëm me ligj për cdo prodhues dhe gjendet i shënuar në profilin e jashtëm të saj. Ai është i vendosur në një drejkëndësh së bashku me javën e prodhimit i rrethuar me një kontur të hollë me cepa të rrumbullakosur. Është gjithmonë i përbërë nga katër shifra ku dy të parat tregojnë javen dhe dy të dytat tregojnë vitin. Kështu, sic e ilustron edhe figura, shifrat “1617” do te tregonin se kjo gomë është prodhuar në javën e 16-te (diku ne muajin prill) te vitit 2017.

Një element tjetër shumë i rëndësishëm është edhe stina e gomave. Gomat e lejuara sipas ligjit të përdoren në rrugë, janë kryesisht të tre llojeve: goma vere, të cilat janë edhe gomat e ashtuquajtura normale. Nuk kanë asnjë simbol dallues përvec numrave dhe siglave të zakonshme që tregojnë përmasat e gomës, kodin e shpejtësisë, etj.
Në llojin e dytë bëjnë pjesë gomat e dimrit, te cilat dallohen nga simboli i kristalit të dëborës së bashku me siglën M + S (Mood – gjol dhe Snow – borë) të cilat janë gomat me ekstreme për kushtet dimërore dhe në shumicën e rasteve mundësojnë qarkullimin e mjetit edhe pa zinxhirë (duke qenë në rregull kështu edhe me ligjin). Edhe lulja e tyre është qartësisht e dallueshme për shkak të kanaleve të shumta në cdo pjesë të lules në pjesën e “tabanit” të gomës. Në llojin e tretë bëjnë pjesë gomat e ashtuquajtura “katër stinët” të cilat janë të përshtatshme për dimër dhe për verë por duke konsideruar në secilën stinë, veçanërisht në dimër kushte jo ekstreme, pra jo borë e lartë në rrugë malore të thepisura dhe jo në kushte balte apo moçalesh. Këto goma janë të dallueshme pasi kanë kanalizime më të pakta dhe më të imëta në pjesët e lules së gomës dhe kanë gjithashtu simbolin e kristalit të dëborës në profil (e pashoqëruar në këtë rast nga sigla M + S). Idealja që ne do të keshillonim do të ishte që të perdoreshin dy komplete gomash, verore, të përdorshme në periudhën prill – nëntor dhe dimërore, të përdorshme në pjesën tjetër të vitit. Një alternativë e mirë për vendin tonë, i cili nuk dallohet për kushte dimri të vështira do të ishin gjithashtu edhe ato katër stinët, të cilat do të kursenin kështu angarinë e ndërrimit të gomave dy herë në vit dhe të magazinimit të gomave që nuk janë në përdorim.